<

Marrëveshja UART - UP

Ditën e Premte, datë 5 Nëntor 2021, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Arteve dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Marrëveshja u nënshkrua nga Rektorët e Universiteteve, Prof. Kastriot Çaushi dhe Prof. Dr. Naser Sahiti.

Për palën shqiptare të pranishëm ishin dhe Zv. Rektori, Prof. Dr. Erald Bakalli, Dekani i fakultetit të Artit Skenik, Prof. Petrit Malaj, Dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura, Prof. Artan Peqini si dhe Administratorja e Universitetit të Arteve, Znj. Alma Sinanaj.

Përfaqësues për Universitetin e Prishtinës ishin Zv. Rektorja, Prof. Dr. Albulena Blakaj dhe Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Asoc Hazir Haziri.

Kjo Marrëveshje ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e artit dhe kulturës, formimin e specialistëve të lartë në fushën e artit si dhe përgatitjen e artistëve të rinj në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendeve. Në këtë marrëveshje palët shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta artistike në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës, debate, konferenca, workshop-e, shkëmbim të studentëve dhe stafit si dhe çdo lloj veprimtarie apo aktiviteti tjetër të nevojshëm.

Dy Rektorët shprehën entuziasmin e tyre për zyrtarizimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve. Ata theksuan se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, bashkëpunimet e mëparshme për realizimin e projekteve konkrete marrin një zhvillim të ri nën frymën e realizimit të synimeve të përbashkëta.


Foto Galeri

 

<< Kthehu - Tjetra >>