Mirësevini në Universitetin e Arteve

Universiteti i Arteve është institucion publik i arsimit të lartë me karakter artistik në Shqipëri, që ofron diplomë Universitare në Muzikë, Arte të Bukura, dhe Art Skenik.

I themeluar më 1966, Instituti i Lartë i Arteve bashkoi tre institucione artistike: Konservatorin Shtetëror të Tiranës, Shkollën e Arteve të Bukura, dhe Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”. Më 1990, me ndryshimet në sistemin arsimor, Instituti i Lartë i Arteve u ngrit në nivel Universiteti dhe u emërua "Akademia e Arteve".

Me VKM nr. 234, date 23.03.2011, u krijua Universiteti i Arteve mbi bazen e Akademise se Arteve, duke ruajtur te pandryshuar strukturen e Fakulteteve.

Universiteti i Arteve ka tre fakultete: 

- Fakultetin e Muzikës
- Fakultetin e Arteve të Bukura 
- Fakultetin e Artit Skenik

Qellimi kryesor i tij eshte të ofrojë arsimim të lartë profesional dhe veprimtari krijuese në fushën e artit dhe të kulturës, të thellojë kualifikimin profesional e shkencor të specialistit të lartë në fushën e artit e të kulturës, si dhe të  kontribuojë në rritjen e standarteve të demokracisë e të qytetërimit . E gjithë rruga mbi 40 vjeçare e Universitetit te Arteve ka qënë një rrugë e shtimit sistematik të specialiteteve, si dhe vitet e fundit implementimi i Kartës së Bolonjës.

Pranimet ne Universitetin e Arteve bëhen vetem me anë të konkurimit, kriteret e të cilit kanë specifikën e tyre në lidhje me specialitetin e kerkuar. Aktualisht në auditorët e saj studiojnë 947 studentë, të cilët udhëhiqen nga një staf pedagogjik prej 386 asistentë, pedagoge, profesorë të asociuar dhe profesorë, prej të cileve 119 janë të brendshëm.

Trupa mësimdhënëse dhe bashkëpunëtorët e Fakulteteve janë emra të mirënjohur në fushat ku operojnë – muzikantë, piktorë, skulptorë, regjisorë teatri dhe filmi-televizioni, aktorë, skenografë dhe koreografë - me njohuri të gjera teorike dhe praktike. Shumica prej tyre kanë marrë çmime artistike për kontribute të veçanta dhe punë krijuese.

Ambientet e Universitetit te Arteve si studiot, atelieret, lektoriumet, Salla e Madhe e Koncerteve, Salla “Çesk Zadeja”, Teatri Eksperimental “Black Box”, Galeria e Fakultetit te Arteve te Bukura dhe Biblioteka, krijojnë një marrëdhënie interaktive, ku studentët kanë mundësinë të studiojnë në një mjedis të specializuar dhe angazhohen në punë krijuese. Artistët e përgatitur në këtë institucion përbëjnë një forcë gjeneruese në jetën kulturore Shqiptare.

Lidhjet me shkolla dhe Akademi të Artit në Evropë e më gjerë, të qënit e anëtaresuar në Organizata Ndërkombëtare të Institucioneve të Artit, pjesëmarrja aktive ne aktivitete e workshop-e ndërkombëtare, kanë kontribuar në futjen dhe përdorimin e metodave të reja të mësimdhënies.

Forcimi i lidhjeve institucionale me Akademi dhe Universitete Evropiane të Artit është prioritet i stadit aktual të Universitetit te Arteve.

 

Adresa postare:

Universiteti i Arteve
Bulevardi “ Dëshmoret e Kombit”, Sheshi "Nënë Tereza”,
Tiranë, ALBANIA

 www.uart.edu.al