<

Departamenti i Kantos

Programi i Studimit në Departamentin e Kantos u jep mundësinë studentëve, në fund të periudhës studimore, të kenë marrë njohuri të thelluara për aspektet e përgjithshme stilistike, historike dhe estetike që lidhen me profilin e tyre. Për më tepër, duke iu referuar specifikave të lëndëve individuale, studenti do të aftësohet në fushën e interpretimit muzikor të veprave të gjinive dhe qasjeve të ndryshme estetike. Një rëndësi e veçantë, gjatë viteve të studimit në këto programe, i jepet praktikave profesionale, çka krijon mundësinë e ballafaqimit të drejtpërdrejtë me skenën dhe me artistë të njohur.
Njëherazi, studentët e këtij programi, përgjatë viteve të studimit, kanë mundësinë e Master-Class-eve të shumta me personalitete të këndimit operistik, të cilat ofrohen si mësime individuale për çdo student pjesëmarrës. Në përfundim të programit të studimit, studentët do te kenë mundësinë e aktivizimit profesional si: këngëtar solist, këngëtar për repertorin e operës, këngëtar për repertorin e muzikës së dhomës, këngëtar në ansamblet korale të muzikës së dhomës, këngëtar në ansamble korale simfonike, këngëtar në ansamble korale lirike, mësues për lëndën e kantos pranë shkollave me drejtim artistik, mësues muzike në shkollat e përgjithshme të arsimit para universitar etj.

Departamenti i Kantos ofron programe studimi të ciklit të parë në përfundim të të cilave lëshon Diplomë si më poshtë (duke vizituar lidhjen e secilës mund të shfletoni informacion të zgjeruar mbi planin mësimor korrespondues):

  1. Diplomë Bachelor në Kanto


Departamenti i Kantos ofron programe studimi të ciklit të dytë në përfundim të të cilave lëshon Diplomë si më poshtë (duke vizituar lidhjen e secilës mund të shfletoni informacion të zgjeruar mbi planin mësimor korrespondues):

  1. Kanto dhe Mësuesi