<

Thirrje për aplikime

Me rastin e Javës së Parasë 2020, Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave - AAB, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ftojnë studentët e arteve pamore, por jo vetëm, të marrin pjesë në konkursin e karikaturës më të mirë me temë “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek”.

Studentët ftohen, individualisht apo në grup, të zbërthejnë nëpërmjet ilustrime humoristike problemet që vijnë si pasojë e përdorimit të gabuar të termit “lek i ri apo lek i vjetër” në ndërveprimet tona të përditshme financiare.

Duke qenë se fushata “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek” është një fushatë sensibilizuese për të tërhequr vëmendjen e publikut të gjerë, dhe veçanërisht të rinjve, mbi problematikën, vlerësojmë se imazhet mund të vijnë në ndihmë për të pasur një impakt më të fortë tek ata.

Karikaturat duhet të dërgohen pranë Bankës së Shqipërisë, në adresën elektronike public@bankofalbania.org, brenda datës 20 mars, ora 09:00. Do të pranohet vetëm një punim për student. 

Për të ruajtur një vlerësim të drejtë të punimeve, do të ngrihet një juri e përbërë nga përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe bankës tregtare që do të ofrojë çmimet për fituesit. Çmimet për 3 karikaturat fituese janë nga 15.000 lekë.

Për më shumë informacion vizitoni njoftimin e BoA në rrjetet sociale