<

Workshop në FAS - Koreografi

Në kuadër të procesit mësimor të lëndëve profesionale Koreografi (në programin e studimit Master në Koreografi), Kompozim Danci dhe Dance Performance (në programin e studimit Bachelor në Koreografi), duke nisur nga data 06-11.05.2019, Fakulteti i Artit Skenik organizon workshop në bashkëpunim me një nga kërcimtarët shqiptarë të spikatur në skenën e sotme europiane, z.Igli Mezini.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi midis programit të studimit të koreografisë pranë departamentit Skenografi/Kostumografi/Koreografi në FAS është përditësimi i njohurive të thelluara dhe eksperiencave të reja në kërkimin artistik të dancit bashkëkohor nga ana e studentëve, nga individë që janë pjesë e një jetë intensive artistike në Europë dhe më gjërë. Shkëmbimi i këtyre përvojave është me shumë interes dhe e domosdoshme për faktin se do të krijojë një përfshirje reale të studentëve të degës së koreografisë në përvetësimin e niveleve artistike konkuruese. Ndarja e këtij workshop-i me artistë në formin e sipër ndihmon për hapjen drejt objektivave të reja në të ardhmen e afërt dhe përditësimin e tyre me teknikat aktuale moderne bashkëkohore.

Elementët për realizimin e këtij aktiviteti janë:

  • Organizimi i studentëve në pjesmarrje
  • Kohëzgjatja : 6 (gjashtë) ditë nga 1,5 orë deri në 2,5 orë max. në ditë
  • Personat që drejtojnë dhe konkretizojnë workshop-in: Artan Ibërshimi dhe Igli Mezini

Titulli : Shprehuni përmes lëvizjes
Ditë kërcimi, punëtori, hulumtim i lëvizjes dhe atelier nga Igli MEZINI


Përmbajtja e workshop-it

Workshop-i i Igli Mezinit konsiston në një klasë fizike dhe të gjallë të teknikës që sfidon individin dhe koordinon grupin kolektiv, ku përmes përsëritjes ndërtohen aftësitë dhe ndërgjegjësimi për të lëvizur me shpejtësi dhe efikasitet.Kjo punëtori orientohet drejt alternimit midis harqeve dhe spiraleve të trupit në të gjitha drejtimet e imagjinuara.

Klasa do të fillojë me ushtrime në të cilat do të punohet në përdorimin e gamës së trupit për të zbuluar mundësi të ndryshme të lëvizjes. Fokusi i punës do të përqëndrohet në detyra krijuese për të zbuluar trupin tonë duke përdorur mjete për kompozimin si dhe duke e integruar lëvizjen drejt ndërgjegjësimit hapësinor e ritmik. Gjithashtu do të punohet në marrëdhëniet midis saktësisë dhe organicitetit, vetëdijes hapësinore dhe aftësisë të një personi për të reaguar ndaj elementeve përbërës si improvizimi brenda një strukture dramaturgjike përpunimi.

Kjo punëtori përqëndrohet shumë në marrëdhënien e kërcimtarit me dyshemenë. Klasa përdor modelet e thjeshta të lëvizjes që përfshijnë frymëmarrjen, shpejtësinë dhe lirimin e energjisë në të gjithë trupin, në mënyrë që të aktivizojë marrëdhënien midis qendrës dhe sistemit të nyjeve lidhëse, duke lëvizur brenda dhe jashtë terrenit në mënyrë sa më efikase por vazhdimisht duke ruajtur një trup të përqëndruar.Klasa ka një fokus në strukturën skeletore që do të ndihmojë në përmirësimin e vlerave fizike, perceptimit dhe vigjilencës.