<

Aktivitete akademike ne UART

Ambasada e Francës dhe Universiteti i Arteve mundësojnë ardhjen në Tiranë të skenaristit francez Guy Mousset, në një Atelie 5-ditor me studentët e Fakultetit të Artit Skenik të Universitetit të Arteve. 

Nga dita e Hënë, 21 Tetor deri më 25 Tetor ne sallen "Black Box", Guy Mousset, skenarist dhe pedagog në një nga shkollat më prestigjioze të kinematografisë në Francë "LA FEMIS" do të zhvillojë një atelie për shkrimin e skenarit me studentët e Universitetit të Arteve.

Puna për zhvillimin e këtij projekti ka nisur qysh herët. Një vit më parë, studentëve të të gjitha viteve të Regjisë së Filmit u është lënë si detyrë shkrimi i një skenari. Tema ka qenë e lirë. Janë përzgjedhur 12 prej tyre, të cilët janë përkthyer në gjuhën frënge dhe i janë dërguar skenaristit francez, i cili ka bërë shënimet dhe vërejtjet përkatëse.

Gjatë ditëve të qëndrimit të tij, ai do të zhvillojë takime me pedagogë e studentë, por qëllimi kryesor është leximi i skenarëve, evidentimi i problemeve, i pikave më të forta e më të dobëta. Bëhet fjalë për një punë konkrete dhe jo thjesht teori. Takimi nuk do të zhvillohet vetëm me 12 studentët që kanë qenë protagonistë të këtij projekti, por ai do të jetë i hapur për studentët e të gjitha viteve të Degës së Regjisë së Filmit. Ata do të kenë mundësi që të mësojnë më shumë mbi mjeshtërinë e të shkruarit të skenarit. Takimet do të zhvillohen në sallën Black Box.

Ky projekt do të vazhdojë, Mousset do të rikthehet sërish në muajin Janar, për të zhvilluar një tjetër takim me studentët shqiptarë mbi skenarët e ripunuar tashmë. Mes 12 skenarëve mund të përzgjidhet më i miri dhe ky projekt të finalizohet me realizimin e një filmi me metrazh të shkurtër, një bashkëprodhim shqiptaro-francez.


Foto Galeri

 

Guy Mousset (biografi e shkurter):

Guy Mousset është shkrimtar, skenarist dhe pedagog. Pas studimeve për Psikologji dhe dy viteve nën drejtimin e Alain Knapp për regji dhe skenar, karriera e tij do të merrte mbarë në vitin 1983, kur filmi i tij “Demain il fera beau”, në bashkëpunim me INA e TF1, merr çmimin “Perspective du Cinéma Français” në Festivalin e Cannes. Të tjera çmime do të vijnë pas këtaj, si Çmimi i Publikut në vitin 1988 në Festival e Belfort, për filmin me metrazh të gjatë “Les petites photos”, Çmimi i SCAM në takimin evropian të televizioneve në 1992, etj.

Profesor i përhershëm në shkollën prestigjioze të kinemasë LA FEMIS, prej vitit 1995, ai do të udhëheqë një numër të madh projektesh të studentëve nën emrin “Alice”, në bashkëpunim me Marco Serri dhe prodhuar nga LA FEMIS në 2011. Rrugët e tij janë kryqëzuar me emra të mëdhenj të kinemasë franceze, ndërsa ka organizuar masterklase dhe takime me Raul Ruiz, Paweł Edelman, Roman Polanski, Johnny Depp, Francis Ford Coppola … Gjithashtu ai jep mësim edhe në Paris VIII.