<

Pershendetja

Të dashur kolegë e studentë

AA përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha nga vetë studentët, dhe shoqëria. Vizioni ynë strategjik është integrimi de jure rajonal, evropian dhe global, duke çuar më tej atë traditë që de facto e bën shkollën tonë një nga IAL-të shqiptare më konkurrente me produktin e saj në tregun evropian dhe botëror. Në këtë këndvështrim përpjekjet tona janë drejtuar si në rritjen e standardeve e të cilësisë së mësimdhënies ashtu edhe në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës akademike.

Ju drejtoj këtë pëshëndetje për t’ju bërë gjithashtu me dije se shkolla jonë tashmë do të quhet Universiteti i Arteve, pas një Vendimi të Këshillit të Ministrave, i cili miratoi këtë ndryshim, mendoj cilësor për të gjithë ne.

Dëshiroj të ndaj me ju këtë ngjarje në jetën tonë akademike, pasi shndrrimi në Universitet i Akademisë së Arteve ka qenë një nga objektivat tona te përbashkëta. Ndaj sot dëshiroj të shpreh kënaqësinë time për këtë ngjarje dhe të shpreh gjithashtu urimin më të mirë që Universiteti i Arteve të vazhdojë dhe të çojë më tej traditën e shkëlqyer të Akademisë së Arteve. Shpresoj që të gjithë studentët dhe mësimdhënësit të kujtojnë me nostalgji emrin e Akademisë së Arteve, ashtu siç unë personalisht dhe një brez i tërë artistësh, kujtojnë me nostalgji Institutin e Lartë të Arteve.

Trupa mësimdhënëse dhe bashkëpunëtorët e Universitetit të Arteve janë emra të mirënjohur në fushat ku operojnë –instrumentistë, muzikologë piktorë, skulptorë, regjisorë teatri dhe filmi&televizioni, aktorë, skenografë dhe koreografë. Shumë prej tyre janë nderuar me tituj e çmime artistike për kontribute të veçanta dhe punë krijuese. Kjo trupë mësimdhënësish pasurohet çdo vit të ri akademik me prurje të reja, me individë të edukuar në shkolla arti me emër në Evropë e më gjerë. Në këtë mënyrë, Universiteti i Arteve do të jetë një promotor i angazhimit të një pjese të rëndësishme të pasurisë intelektuale të vendit tonë.

Në aspektin e përmirësimeve të infrastrukturës akademike, ne jemi dhe do të vazhdojmë të jemi kërkues në drejtim të përmirësimit të kushteve të godinave, klasave e auditorëve të Akademisë së Arteve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për studentët.

Duke përfunduar do të dëshiroja t’ju uroja punë dhe studime të mbara dhe t’ju kërkoja në të njëjtën kohë që të gjithë dalë nga dalë të mësohemi e të fusim në përdorim emërtimin e ri të shkollës sonë Universiteti i Arteve.


Prof. Petrit MALAJ

Rektor
Akademia e Arteve

 

VKM Universiteti i Arteve (pdf)