<

Vizita e delegacionit te Epoka University

Rektori i Akademisë së Arteve, Prof. Petrit MALAJ, priti në një takim Rektorin e Epoka University,  Prof. Dr. Hasan KAPLAN, i cili shoqërohej nga Zv/ Rektori i këtij Universiteti, Z. Ferdinand Gjana,  si dhe nga Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës Assoc. Prof. Dr. Ahmet ÖZTAŞ. I pranishëm në këtë takim ishte edhe Zv/ Rektori i Akademisë së Arteve, Prof. Asc. Artan PEQINI.

Duke shprehur kënaqësinë për vizitën e tyre, Z. MALAJ bëri një prezantim të programeve të studimit në Akademinë e Arteve si dhe punën e bërë nga institucioni ynë për implementimin e Sistemit të Bolonjës në këto programe. Prof. MALAJ theksoi hapjen e Akademisë së Arteve ndaj personaliteteve të artit e të kulturës në Shqipëri për rritjen e nivelit akademik. Po kështu Z. MALAJ shprehu vlerësimin e tij për Epoka University .

Nga ana e tij Prof.Dr. Hasan KAPLAN vlerësoi artin si një nga elementet e rëndësishëm në edukimin e brezit të ri, duke theksuar vecanërisht rolin e Akademisë së Arteve si një institucion i edukimit kulturor.

Gjatë takimit u diskutua për gjetjen e pikave të përbashkëta mes Akademisë së Arteve dhe Epoka University, për mundësinë e bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Më pas të ftuarit u shoqëruan në një vizitë në mjediset e Akademisë se Arteve. Përveç te tjerave, miqte vlerësuan Galerinë FAP, duke shprehur edhe një here dëshirën për bashkëpunim.