<
Partneriteti UART - Akademia Pietro Vannucci
Ditën e premte, më 6 Shkurt 2026, Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Dr. Erald Bakalli i shoqëruar nga Zv. Rektori Prof. Arian Paço, Dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura, Prof. Sadik Spahija dhe Përgjegjësi i Departamentit "Skenografi - Koreografi" pranë Fakultetit të Artit Skenik, Prof. Asoc.Taulant Pustina, mirëpriti në ambiente të këtij universiteti përfaqësuesit e Akademisë së Arteve të Bukura “Pietro Vannucci” nga Peruxhia, Itali: Prof. Elisabetta Furin, Prof. Giuseppe Fioroni dhe Dr. Orietta Taschini. Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit akademik ndërkombëtar në fushën e arteve.
Gjatë bisedave palët u shprehën për krijimin e një partneriteti afatgjatë dhe arritën në një marrëveshje mirëkuptimi, që synon të hedhë themelet për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta mes dy institucioneve. Kjo marrëveshje do të fokusohet fillimisht në identifikimin e fushave të përbashkëta me interes akademik dhe artistik, duke përfshirë planifikimin e iniciativave pilot që mund të shndërrohen në projekte bashkëpunimi të qëndrueshme dhe frytdhënëse.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zhvillimit të projekteve të përbashkëta kërkimore në fushat e arteve pamore dhe të aplikuara, të skenografisë, teatrit dhe kinemasë.
Marëveshja parashikon gjithashtu bashkëorganizimin e punëtorive, ekspozitave, leksioneve dhe simpoziumeve, si dhe shfaqjeve artistike dhe koncerteve.
Një komponent i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi do të jetë dhe shkëmbimi i botimeve akademike dhe produkteve artistike, me synimin për të rritur më tej intensitetin dhe cilësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ky hap përfaqëson një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e horizonteve akademike e artistike të Universitetit të arteve, duke kontribuar në ndërkombëtarizimin e tij.
FOTO GALERI
<<Kthehu - Tjetra>>
