<

Prof. Rafet Rudi viziton UART

Më 5 Dhjetor, 2025, Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Dr. Erald Bakalli mirëpriti në takim Prof. Rafet Rudi, një ndër personalitetet më të shquar dhe më aktiv në 2-3 dekadat e fundit në jetën muzikore të Kosovës, me veprimtari të spikatur si kompozitor, dirigjent, mendimtar në fushën e publicistikës dhe filozofisë së muzikës dhe si anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencës dhe Arteve.

Gjatë takimit u theksua edhe një herë rëndësia që ka thellimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i marrëdhënieve midis artistëve në të dy anët e kufirit për krijimin e një dialogu të frytshëm dhe një dimensioni të përbashkët kulturor, si një nga mënyrat për të depërtuar në një treg të gjerë kulturor midis vendeve.

Më pas, në ambientet e Bibliotekës së Universitetit të Arteve, në prani të studentëve dhe pedagogëve të pranishëm, Prof. Rudi mbajti një ligjëratë shumë interesante mbi zhvillimet dhe ngjarjet muzikore në Kosovë.

Në përfundim të takimit, Prof. Rafet Rudi i dhuroi Bibliotekës së Universitetit të Arteve disa kopje nga botimi i veprës së tij më të fundit, “Libri im i kujtimeve”, i cili, siç thotë autori, ka karakteristika biografike, por më shumë është një kronikë e kohës në mungesë të dokumentacionit për shkak të ngjarjeve që ka kaluar Kosova dhe për shkak të institucioneve të pakta kulturore.

Në takim morën pjesë edhe zëvendësrektori i Universitetit të Arteve, Prof. Arian Paço, Prof. Asist. Dr. Rreze Kryeziu Breznica - muzikologe dhe Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Z. Dardan Selimaj.


FOTO GALERI


 

<<Kthehu - Tjetra>>