<

Akses në Platformën Akademike JSTOR

Biblioteka e Universitetit tё Arteve disponon akses të plotë në "JSTOR", një arkivë digjitale ndërkombëtare kërkimore që përmban artikuj shkencorë, revista, libra dhe burime primare nga fusha të ndryshme të dijes.

Përdoruesit e Universitetit të Arteve do të mund ta aksesojnë këtë arkivë digjitale përmes mjediseve të dedikuara - sallat e Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Arteve.

JSTOR ofron një përmbajtje të pasur për fushat e muzikës, arteve pamore dhe arteve skenike, me revista të specializuara dhe materiale kërkimore të nivelit ndërkombëtar.

Për më shumë informacion, mund të kontaktoni përmes email në adresën biblioteka@uart.edu.al.


Informacion mbi përmbajtjen akademike në fushat artistike në arkivin e JSTOR

Artet Pamore - Artikujt dhe revistat e arteve pamore, përfshijnë:

  • Analiza të veprave artistike (pikturë, skulpturë, grafikë, fotografi, arkitekturë).
  • Studime mbi periudha historike të artit (arti antik, mesjetar, modern, bashkëkohor).
  • Ese kritike dhe estetike mbi stilin, simbolet, përfaqësimin dhe ndikimet kulturore.
  • Hulumtime mbi artistë, shkolla dhe lëvizje artistike (p.sh. Rilindja, Impresionizmi, Arti Modern).
  • Revista përfaqësuese: The Art Bulletin, Art Journal, October, The Burlington Magazine.

Artet Skenike - Kjo fushë mbulon teatrin, kinemanë, koreografinë dhe performancat bashkëkohore. Artikujt trajtojnë:

  • Analiza dramatike dhe skenike të autorëve klasikë e modernë.
  • Studime të regjisurës, aktrimit, dramaturgjisë dhe skenografisë.
  • Ndërlidhje midis artit skenik dhe shoqërisë, politikës apo kulturës popullore.
  • Revista të njohura: Theatre Journal, Performing Arts Journal, TDR: The Drama Review.

Muzika - Artikujt muzikorë përfshijnë:

  • Muzikologji historike – zhvillimi i stileve muzikore, kompozitorëve dhe periudhave.
  • Teori dhe analizë muzikore – struktura, harmonia, forma dhe teknika kompozicionale.
  • Etnomuzikologji – roli i muzikës në kultura dhe tradita të ndryshme.
  • Studime mbi muzikën popullore, jazz, muzikën filmike dhe edukimin muzikor.
  • Revista përfaqësuese: Journal of the American Musicological Society, Music Theory Spectrum, Ethnomusicology.


Abonimi në bibliotekën digjitale JSTOR për Universitetin e Arteve u mundësua nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).