<

Takimi ABA Lecce – Universiteti i Arteve

Më datë 25 Korrik 2025, me ftesë të Presidentit të Accademia di Belle Arti Lecce, On.le Nicola Ciracì, në mjediset e Akademisë së Arteve të Bukura (ABA Lecce) u mbajt një takim ndërinstitucional mes Rektorit të Universitetit të Arteve, Prof. Dr. Erald Bakalli, Përgjegjësit të Sektorit të Projekteve të UART, Prof. Pjetër Guralumi, dhe autoriteteve më të larta të qeverisjes së ABA Lecce: Presidentit të Këshillit Administrativ, On.le Nicola Ciracì, Drejtorit të ABA Lecce, Nunzio Fiore, Drejtoreshës Administrative, Anna Serena Cipressa, dhe Koordinatores përgjegjëse për Kërkimin Shkencor, Doktoratat dhe Misionin e Tretë, Prof. Patrizia Staffiero.

Në këtë takim, përveç prezantimit të Rektorit Prof. Dr. Erald Bakalli me qeverisjen e ABA Lecce, u diskutua mbi nisjen e zbatimit konkret të elementëve të Marrëveshjes Kuadër të nënshkruar në Lecce më datë 24 Qershor 2021, si dhe të Aktit Përgatitor të nënshkruar në Tiranë më 30.01.2023, mbi ndërkombëtarizimin e studimeve të të dy institucioneve partnere të orientuar drejt didaktikës, formimit, projektimit, kërkimit dhe eksperimentimit në fushën e ofertës kulturore, të diplomimit të dyfishtë, të nisjes së shkëmbimit të mobiliteteve të studentëve të specialiteteve grafikë, pikturë, skulpturë, arte të aplikuara, skenografi, në periudha tre mujore, si dhe shkëmbimin e profesorëve të të dy institucioneve përmes mundësimit edhe të simpoziumeve në skulpturë e qeramikë.

Më konkretisht, nga pala shqiptare këto aktivitete do të nisin që me fillimin e semestrit të parë të vitit akademik 2025–2026, ndërsa pala italiane pritet që t’i realizojë nga Nëntori 2025 deri në Mars 2026.

Më tej, takimi vijoi me një vizitë në mjediset dhe atelietë e ABA Lecce, të shoqëruar nga Drejtori Nunzio Fiore dhe Prof. Patrizia Staffiero, duke evidentuar karakteristikat më të spikatura të vetë institucionit.

Takimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim me personelin akademik të ABA Lecce.


FOTO GALERI


 

<<Kthehu - Tjetra>>