<

Takime në kuadër të akreditimit, FAS

Në kuadër të procesit të akreditimit të programeve, këto dy ditë u mbajtën takimet e para me pesë ekspertë të jashtëm për vlerësimin e tre programeve të studimit të ciklit të dytë, Master i Arteve në “Regji Filmi dhe Televizioni dhe Mësuesi”, Master i Arteve në “Regji Teatri dhe Spektakli dhe Mësuesi” si dhe Master i Arteve në “Aktrim dhe Mësuesi”, të Fakultetit të Artit Skenik në Universitetin e Arteve.

Ky takim vjen pas fillimit të procedurave për vlerësimin e brendshëm të 32 programeve të studimit të Universitetit të Arteve dhe pas takimeve individuale me grupet e punës.

Grupi i ekspertëve i përbërë nga Prof. Dr. Hazir Haziri, Prof. As. Emin Emini, Prof. As. Arian Krasniqi, Prof. As. Leticja Gusho dhe Prof. As. Dilina Beshiri, shoqëruar edhe nga dy Koordinatoret e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Znj. Majlinda Demirneli dhe Znj. Endra Velaj, zhvilluan takime me grupe të organizuara nga Fakulteti i Artit Skenik për këtë proces.

Takimet filluan në zyrën e Dekanit të këtij Fakulteti, Prof. Petrit Malaj, sëbashku me praninë e Prof. Gazmed Gjoka, Përgjegjës i Departamentit 'Aktrim dhe Teori Arti' dhe të Prof. As. Alert Çeloaliaj, Përgjegjës i Departamentit 'Regji, Regji Filmi dhe Televizioni'.

Në takime morrën pjesë gjithashtu përfaqësues të Grupeve të Vlerësimit të Brendshëm për të tre programet e studimit, stafi akademik i brendshëm dhe i jashtëm, studentë për çdo program studimi, përfaqësues nga sekretaria mësimore, Sektori Mësimor dhe i Kurrikulave, përfaqësues të NJSBC (Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë), por edhe struktura të tjera mbështetëse.

Gjatë takimeve u shkëmbyen mendime, u sqaruan çështje dhe të gjithë u larguan më të informuar në lidhje me këtë proces kaq të rëndësishëm për institucionin. Takimet u përmbyllën më një vizitë në te gjitha ambjentët që Fakulteti i Artit Skenik ofron.

Ekspertët, gjatë ditëve në vijim do të paraqesin draftin dhe raportin final për akreditimin e tre programeve të studimit në FAS, ndërkohë që UART vazhdon përgatitjet për kryerjen e takimeve të rradhës për programet e tjera të studimit të ciklit të dytë.


FOTO GALERI