<

Hapja e qendrës së vaksinimit në UART

Të dashur studentë të Universitetit të Arteve!

Sigurimi i shëndetit të çdo studenti duke mundësuar njëkohësisht përmbushjen e standardeve të cilësisë së mësimit në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe duke synuar vijueshmërinë normale të zhvillimit të veprimtarive mësimore dhe artistike, është prioritet në Universitetin e Arteve.

Nisur nga sa më sipër, Ju bëjmë thirrje që me përgjegjshmëri qytetare, të ndërgjegjësoheni për t’u vaksinuar para fillimit të këtij viti të ri akademik.

Krahas marrjes së masave për fillimin e vitit akademik 2021-2022, Universiteti i Arteve, ka marrë masa edhe për të krijuar kushtet e nevojshme dhe ambiente të përshtatshme duke respektuar aktet rregullatore lidhur me protokollet higjeno-sanitare mbi parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19.

Për një vazhdimësi sa më të suksesshme të vitit të ri akademik, Universiteti i Arteve ju njofton se nga data 11 deri në datën 18 Tetor, 2021, nga ora 9:00 deri në orën 14:00, në hollin qendror të UART do të gjeni qendrën e vaksinimit të studentëve.

Universiteti i Arteve u bën thirrje të gjithë studentëve që të marrin pjesë masivisht në vaksinim duke e konsideruar procesin e vaksinimit si një mundësi parandaluese apo lehtësuese të kalimit të formave të rënda të sëmundjes, si dhe të mbrojtjes së njëri-tjetrit nga infektimi me virusin sars-cov-2.

Ju urojmë një fillim të mbarë dhe një vit akademik sa më të suksesshëm.