<

Takim MK-QKK-UART

Më 27 Janar 2020, në sallën e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë u zhvillua një takim konsultues trepalësh midis Ministrisë së Kulturës, QKK dhe Universitetit të Arteve.

Ky takim, i realizuar në kuadër të Paktit me Universitetin, u zhvillua në praninë e Ministres të Kulturës znj. Elva Margariti, drejtorit të DPSZHK znj. Herida Duro, Dekanit të Fakultetit të Artit Skenik në Universitetin e Arteve z. Petrit Malaj, drejtuesit të QKK z. Eduart Makri, koordinatorëve të paktit në FAS-MK, kineastëve dhe studentëve.

Në takim pati një diskutim të gjatë në lidhje me rëndësinë, rolin dhe mundësitë që po i ofrohen studentëve të fushës së Kinematografisë. Njëri prej shqetësimeve kryesore të shprehura nga ana e QKK ishte priorizimi i të talentuarve dhe përkrahja e tyre, me qëllim rritjen e nivelit të kinematografisë. Qendra Kombëtare e Kinematografisë kërkoi që të ekzistojë një fond financimi për prezantimin e produksioneve të studentëve të vitit të 3-të Bachelor dhe të studentëve në ciklin e 2-të Master, të Universitetit të Arteve, të fushës së Regjisë së Filmit dhe Televizionit.

U sugjerua që ky Fond i dedikuar për produksionet filmike dhe studimet, të integrohet brenda strukturës juridike të QKK. Mënyra e përzgjedhjes së punimit më të mirë të prezantuar u mendua të realizohet nëpërmjet një ose më shumë producentëve, ku QKK të mund të realizojë një akt-marrëveshje për financim nëpërmjet një producenti. Kësisoj producenti të jetë oponenti i parë i veprës artistike, ku ai së bashku me pedagogun udhëheqës të vendosin mbi punimin më cilësor i cili duhet të financohet, nëpërmjet një vlerësimi transparent. Sigurisht moment thelbësor mbetet ekzistenca e sistemit të meritokracisë, ku talenti të jetë sistem konkurrence.

Një tjetër moment i diskutuar ishte edhe njohja e krediteve si praktikë pune, për studentët të cilët do të angazhohen në sheshe xhirimi apo do të jenë pjesë e një produksioni.

Njëri prej projekteve që QKK po realizon tashmë në bashkëpunim me Ambasadat e akredituara në vendin tonë është edhe projekti mbi mundësimin e ndarjes së eksperiencave midis kinastëve të rinj në shkollat evropiane, si dhe dërgimi i 2-3 kinastëve të rinj me studime për një periudhe kohore 3-6 mujore. Realizimi i praktikave brenda dhe jashtë vendit të studentëve të Regjisë së Filmit dhe Televizionit do të jetë jo vetëm në interesin e tyre, por edhe në interesin e zhvillimit të kinematografisë.

Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës sugjeroi që të krijohet një kalendar i përbashkët aktivitetesh për zhvillimin e workshop-eve, leksioneve të hapura, trajnimeve nga ekspertë vendas e të huaj, etj.

Njëra prej kërkesave të Universitetit të Arteve në takim ishte edhe mundësimi i abonimit në revista dhe botime të njohura në fushën e kinematografisë.

Studentët, nga ana e tyre, paraqitën një prezantim të punës aktuale të titulluar “Made in Albania”, si dhe ilustruan përvojën e tyre.
 


<<Kthehu - Tjetra>>