<

Vizitë zyrtare e Ambasadorit Turk në UART

Ditën e Martë, më datë 20.09.2022, Rektori i Univeritetit të Arteve, Prof. Kastriot Çaushi priti në zyrën e tij Ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Z. Tayyar Kağan ATAY.

Në takim u bisedua rreth mundësisë për një bashkëpunim të ndërsjelltë ndërmjet Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe Universitetit të Arteve, me vlerë për krijimin e mundësive për dërgimin apo sjelljen e një kulture të re.

Rektori, i shoqëruar edhe nga Dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura, Prof. Artan Peqini, si dhe nga Zv. Rektori për anën mësimore, Prof. Dr. Erald Bakalli, i uruan mirëseardhjen Ambasadorit dhe u shprehën të lumtur për këtë bashkëbisedim për krijimin e bashkëpunimeve të reja.

Gjithashtu Ambasadori, Z. Demirtas shprehu krenarinë e tij për mundësinë e këtij takimi në UART si dhe tregoi gatishmërinë e tij për suport në fushat me interes të përbashkët. Ai shprehu dëshirën dhe interesin e tij për mundësinë e krijimit të marrëdhënieve ndërmjet universiteteve turke dhe Universitetit të Arteve.

Në takim pati diskutime për shumë pika të rëndësishme dhe specifike për tu ndërrmarrë mbi zhvillimin e mëtejshëm të artit dhe mësimdhënies ndërmjet universiteteve, si:

  • Krijimin e marrëdhënieve të dyfishta mes universiteteve,
  • Fokusi drejt lëvizjeve semestrale studentore, si rrjedhojë e kurrikulave të përafërta,
  • Krijimi i kontakteve me shkollat dhe universitetet turke,
  • Rifreskimi i Marrëveshjes me "Mimar Sinan Fine Arts University", etj.

Të dyja palët theksuan se marrëdhëniet Turko – Shqiptare nuk mbeten vetëm në kuadrin zyrtar por shkojnë më tej, në një lidhje shpirtërore mes dy popujve me kultura të përafërta.

Në fund të takimit Ambasadori, Z. Demirtas i dhuroi Rektorit një dhuratë artistike simbolike. Gjithashtu edhe Rektori i dorëzoi Ambasadorit një letër falenderimi në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në përforcimin e marrëdhënieve kulturore dhe arsimore mes dy vendeve.

 

<<Kthehu - Tjetra>>